Në datat 16–17 dhe 21–22 shtator 2026, Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim me Civil Rights Defenders, organizoi dy trajnime për trajnerë (ToT), në kuadër të projektit “Forcimi i bashkëpunimit rajonal gjyqësor në Ballkanin Perëndimor për procese gjyqësore efektive para Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian dhe zbatimin e Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian”, mbështetur nga Mbretëria e Holandës.
Trajnimi i parë, zhvilluar më 16–17 shtator, u fokusua në zbatimin e Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, ndërsa trajnimi i dytë, zhvilluar më 21–22 shtator, trajtoi procedurat para Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian.
Në të dyja aktivitetet morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët patën mundësinë të thellojnë njohuritë mbi të drejtën e Bashkimit Evropian, zbatimin e Kartës së të Drejtave Themelore dhe procedurat përkatëse para Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, si dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre për përcjelljen e këtyre njohurive në aktivitetet e ardhshme trajnuese.
Trajnimi i parë u zhvillua nga Dr. Šejla Imamović, docente e së drejtës evropiane të të drejtave të njeriut në Fakultetin Juridik të Universitetit të Maastrichtit, ndërsa trajnimi i dytë u drejtua nga Dr. Aniel Pahladsingh, gjyqtar dhe komisioner në Institutin Holandez për të Drejtat e Njeriut.





Shkolla e Magjistraturës